TNPJ: RASTI I KOSOVËS 1998-1999.

Hetimet, rekonstruktimi dhe ndjekja penale e krimeve

Prezantimi përmban materiale që disa shikues do të mund t'i gjejnë s shqetësuese.

PROLOG

Krimi që pritej të ndodhte

01 Prolog Naslovna

Kriza politike që zhvillohej në Kosovë që nga fundi i viteve 80 dhe gjatë viteve 90 ka kulmuar në konflikt të armatosur midis forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që nga mesi i vitit 1998. Gjatë këtij konflikti të armatosur, ka pasur incidente ku dhuna e tepruar dhe jo-selektive e ushtruar nga Armata Jugosllave (AJ) dhe njësitë policore serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB-së) kanë rezultuar në vdekjen e civilëve, shpërnguljen e popullatës civile dhe me dëmtim të pronave të civilëve. Me gjithë përpjekjet për përfundimin e krizës, duke përfshirë edhe dërgimin në Kosovë të një misioni ndërkombëtar verifikues, konflikti ka vazhduar deri në datën 24 mars të vitit 1999 dhe edhe përtej kësaj date, kur forcat e NATO-s kanë nisur një fushatë të sulmeve ajrore kundër caqeve në RFJ-së. Kjo fushatë e bombardimit ka përfunduar në datën 10 qershor të vitit 1999 dhe është përcjellë me tërheqjen e forcave të RFJ-së dhe të Serbisë nga Kosova.

Fragmente nga aktgjykimi i trupit gjykues në rastin Shainoviqi dhe të tjerët

HETIMET

Hetimi i vonuar i vendit të krimit

02 Istraga Naslovna

Duke hequr dorë nga praktika e zakonshme për të mos komentuar mbi hetimet që janë në vazhdim e sipër, kryeprokurorja e TPNJ (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) Louise Arbour, në datën 10 mars të vitit 1998 ka njoftuar publikisht se zyra e saj "është duke mbledhur informacione dhe prova në lidhje me incidentet në Kosovë" dhe do të "vazhdojë t’i monitorojë zhvillimet e mëtejshme."

Tre javë më vonë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në Rezolutën 1160 (31 mars, 1998), e ka urdhëruar Prokurorinë të "fillojnë të mbledhin informacion mbi dhunën në Kosovë, që mund të jetë në kompetencën e saj", duke i përkujtuar autoritetet e RFJ-së për detyrimin e bashkëpunimit me TPNJ (ICTY).

Paralajmërimet dhe reagimet, megjithatë, kanë mbetur pa efekt dhe, së këndejmi, në datën 23 shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit është deklaruar përsëri (Rezoluta 1199) me shprehjet mbi "shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë" dhe ka bërë thirrje të re për autoritetet e RFJ-së dhe udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës që "në masë të plotë të bashkëpunojnë me prokurorinë e TPNJ-së".

Ka pasuar një deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, e datës 5 tetor të vitit 1998, në të cilën thuhet se "përtej çdo dyshimi të arsyeshëm është e qartë se shumicën e krimeve në Kosovë i kanë kryer forcat e sigurisë, duke vepruar nën autoritetin e Republikës Federale të Jugosllavisë".

MODELI I KRIMIT

Eksodi i fundit i shekullit XX

03 Obrazac Naslovna

Që nga data 1 janar e deri në datën 20 qershor të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të RFJ-së dhe të Serbisë kanë kryer krime të shumta që kanë rezultuar me dëbimin e dhunshëm të rreth 800.000 civilëve shqiptarë të Kosovës.

Për t’i mundësuar këto dëbime dhe zhvendosje, njësitë e armatosura të RFJ-së dhe të Serbisë qëllimisht kanë krijuar një atmosferë frike dhe shtypjeje përmes përdorimit të forcës, kërcënimit për përdorim të forcës dhe zbatimit të dhunës. Sulmet ndaj civilëve janë kryer sipas një modeli të paracaktuar, i cili përfshinte granatimet e qyteteve dhe të fshatrave, shkatërrimin e shtëpive dhe të objekteve fetare, vrasjen e grave, të fëmijëve dhe të meshkujve, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftime si dhe me dhunën seksuale mbi gratë shqiptare të Kosovës.

Këto veprime janë ndërmarrë në të gjitha pjesët e Kosovës dhe këto mjete e metoda të qëllimshme janë përdorur në të gjithë Kosovën.

Dëbimi i civilëve shqiptarë të Kosovës është kryer me qëllim të ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës dhe, në këtë mënyrë, vendosjes së kontrollit të plotë të autoriteteve të Serbisë mbi krahinën e atëhershme të saj.

Në gjykimet e TPNJ-së (ICTY) janë paraqitur prova për dëbimin e popullatës civile nga 13 komuna të Kosovës.

Pjesë nga aktakuza në lëndën "Millutinoviqi dhe të tjerët".

VRASJET MASIVE

Të mbijetuarit nga fushat e vrasjeve në Kosovë

04 Masovna Ubistva Naslovna

Që nga data 1 janar e vitit 1999 ose rreth kësaj date e deri në datën 20 qershor të vitit 1999, forcat ushtarake, paramilitare dhe policore të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ-së) dhe të Serbisë kanë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës, të cilët nuk kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftime. Këto vrasje kanë ndodhur në mënyrë gjerësisht të përhapur dhe sistematike në tërë Kosovën dhe kanë pasur për pasojë vdekjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve.
Në shumicën e vendeve, të tilla si Krushë e Vogël (Mala Kruša), Izbicë (Izbica), Bellacërkvë (Bela Crkva), Gjakovë (Đakovica) dhe Qyshk (Ćuška), viktimat ishin meshkuj, por, në një numër të incidenteve, viktima ishin edhe gratë dhe fëmijët, siç është rasti në Suharekë (Suva Reka) dhe në Podujevë (Podujevo). Krimi më i madh në Kosovë ka ndodhur në fund të muajit prill të vitit 1999, kur gjatë Operacionit Reka në Mejë (Meja), Korenicë (Korenica) dhe në fshatra të tjera në rrethinën e Gjakovës janë vrarë rreth 350 civilë meshkuj.
Hetimet e TPNJ-së (ICTY) e kanë përfshirë vetëm një pjesë të vogël të vrasjeve të civilëve shqiptarë në Kosovë – përafërsisht 20 lokacione, në të cilat janë vrarë rreth 700 deri në 800 viktima, me qëllimin të tregimit të modelit të sulmeve ndaj popullsisë shqiptare dhe jo të regjistrimit të të gjitha krimeve dhe identifikimit të viktimave.

FSHEHJA E PROVAVE

Nuk ka kufomë – nuk ka krim

05 Skrivanje Naslovna

Kryeprokurorja e Tribunalit Louise Arbour, në datën 26 mars të vitit 1999, dy ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, i ka dërguar letër kryetarit Sllobodan Millosheviqit dhe dymbëdhjetë zyrtarëve të tjerë politik, ushtarak dhe policor të RF të Jugosllavisë dhe Serbisë, në të cilën ua tërheq vërejtjen se – në kuadër të mandatit, të cilin ia ka besuar Këshilli i Sigurimit i KB-ve – me vigjilencë do të përcjellin se çka po ndodh në Kosovë. Në të njëjtën kohë, Arbour ua ka përkujtuar zyrtarëve serb dhe jugosllav se e drejta ndërkombëtare i obligon që t’i parandalojnë krimet e luftës ose që t’i dënojnë vartësit, të cilët i kanë kryer këto krime.

Pas vërejtjes së Hagës, në Beograd ka pasuar një seri të takimeve të nivelit më të lartë të lidershipit politik dhe policor në Beograd, në të cilat është shqyrtuar se si të pengohen hetuesit e Hagës, të cilët, herët a vonë, do të paraqiten në Kosovë dhe do të fillojnë të gjurmojnë për provat mbi krimet e kryera.

Sipas një shënimi të ditarit të njërit prej pjesëmarrësve të atyre takimeve, gjeneralit policor Obrad Stevanoviq, metoda, sipas së cilës do të zhduken gjurmët e krimit dhe do të mbrohen nga përgjegjësia penale ata që ishin prezent, është hartuar personalisht nga kryetari Sllobodan Millosheviq.

EPILOGU GJYQËSOR 1

Përtej dyshimit të arsyeshëm

06 Sudski Naslovna

Krimet mbi shqiptarët në Kosovë në vitin 1999 kanë qenë lëndë e tri gjykimeve para TPNJ-së: Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit dhe të tjerëve, si dhe Vllastimir Gjorgjeviqit. Ish kryetari i RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqi ka vdekur në paraburgim para përfundimit të procedurës gjyqësore kundër tij, kurse dy gjykimet e tjera kanë rezultuar me aktgjykimin ku njëri nga të akuzuarit është liruar, ndërsa gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë politik, ushtarak e policor të RFJ-së dhe Serbisë janë gjetur fajtorë.

Në të dyja lëndët e gjykuara ka rezultuar deri te përfundimi se në vitin 1999 ka ekzistuar ndërmarrja e përbashkët kriminale që kishte për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike në Kosovë duke i dëbuar shqiptarët, në mënyrë që të forcohet kontrolli i autoriteteve të RFJ-së dhe Serbisë mbi ish-krahinën.

Edhe pse nuk e ka pritur fundin e gjykimit, Sllobodan Millosheviqi në aktgjykimet e lëndëve Millutinoviqi dhe të tjerët dhe Gjorgjeviqi përmendet si pjesëmarrës i ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

PENGIMI I HETIMEVE

Shumë pengesa, pak prova

07 Opstrukcija Naslovna

Zyra e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për herë të parë është interesuar për krimet e kryera në pranverën e vitit 1998, pas sulmit të forcave speciale policore serbe në pronën e themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, në fshatin Prekaz i Poshtëm (Donji Prekaz), ku janë vrarë Jashari dhe gati 60 anëtarë të familjes së tij. Prokurorëve të Hagës, para së gjithash, u interesonte nëse luftimet në Kosovë mund të kualifikohen si konflikte të brendshme të armatosura, sepse ky është parakusht për caktimin e juridiksionit të TPNJ-së, që ia mundësonte ndjekjen penale të përgjegjësve për krimet kundër njerëzimit dhe shkeljen e ligjit dhe të zakoneve të luftës.

Pasi që ka përfunduar se UÇK-ja është formacion i organizuar ushtarak dhe se në Kosovë po zhvillohej një konflikt i armatosur, Zyra e Prokurorit të Hagës në mesin e vitit 1998 është përqendruar në hetimin e rolit dhe të përgjegjësive të kreut politik, ushtarak dhe policor serb, në krye me ish kryetarin e RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqin. Aktakuza kundër Millosheviqit dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij të afërt për krimet e kryera në Kosovë është ngritur në muajin maj të vitit 1999.

Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të TPNJ-së kanë hyrë në Kosovë në muajin korrik të vitit 1999, menjëherë pas forcave ndërkombëtare paqeruajtëse (KFOR), dhe së shpejti i kanë zgjeruar hetimet e tyre edhe në krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve në Kosovë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe. Aktakuza e parë kundër ish komandantëve të UÇK-së është ngritur në muajin janar të vitit 2003.

HALLKA E CILA MUNGON

Zinxhiri komandues pa komandantë

08 Karika Naslovna

Para se të fillojë edhe zyrtarisht hetimet mbi ngjarjet në Kosovë në pranverën e vitit 1999, prokuroria e TPNJ-së ka ardhur në përfundim se shkeljet e të drejtës ndërkombëtare humanitare në atë territor hyjnë në juridiksionin e TPNJ-së, duke qenë se janë kryer brenda konfliktit të brendshëm të armatosur, në të cilin janë angazhuar dy forca të organizuara ushtarake me zinxhir komandues funksional.

Pos në provat e dëshmitarëve dhe të viktimave të krimit si dhe provave mjeko-ligjore të mbledhura gjatë hetimeve dhe zhvarrosjeve në terren, rasti i prokurorit në lëndët e komandantëve të UÇK-së Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj dhe katër vartësve të tyre, në masë të madhe është bazuar në provat e të ashtuquajturve insajderë – ish komandantëve të UÇK-së – të cilët në intervistat me hetuesit e prokurorisë haptazi kanë folur mbi atë se si në vitin 1988 janë krijuar zonat e përgjegjësisë në Kosovë dhe kush, në cilën kohë, ka komanduar në cilën zonë.

Megjithëkëtë, kur është dashur që këto t’i përsërisin para gjykatës, ish komandantët e UÇK-së i kanë ndryshuar deklaratat e tyre dhe kanë pohuar se zinxhiri komandues në zonat e përgjegjësisë së të akuzuarve është pas periudhës me të cilën ka pasur të bëjë aktakuza: maj – korrik 1998. Kanë pohuar se zinxhiri komandues ka filluar në vjeshtë, pas formimit të brigadës dhe batalionit, pra pas krimeve me të cilat janë ngarkuar.

Nga zinxhiri komandues, kështu, është nxjerrë një hallkë, e cila do t’i mundësonte prokurorit dhe gjyqtarëve që komandantët e akuzuar të zonave dhe të njësive të UÇK-së t’i ndërlidhin me kryerësit e drejtpërdrejtë të krimeve ndaj civilëve shqiptarë, serb dhe romë.

EPILOGU GJYQËSOR 2

Dyshimi i arsyeshëm

09 Sudski Naslovna

Krimet, të cilat në vitin 1998 i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së ndaj serbëve dhe romëve, por edhe ndaj shqiptarëve të dyshuar për “bashkëpunim” me autoritetet serbe, janë ndjekur penalisht në dy lëndë të TPNJ-së: Fatmir Limaj dhe të tjerët, e pastaj edhe Ramush Haradinaj dhe të tjerët.

Në aktgjykime është arritur përfundimi se krimet e cekura në aktakuza njëmend janë kryer, kurse për disa prej këtyre krimeve përgjegjës janë pjesëtarët e UÇK-së - përfshirë keqtrajtimin në kampet e Llapushnikut (Lapušnik) dhe Jabllanicës (Jablanica), vrasjen e civilëve në Malin e Berishës dhe vrasjen e shtatë prej 30 civilëve, kufomat e të cilëve janë gjetur në kanalin e liqenit të Radoniqit. Megjithëse është provuar se krimet kanë ndodhur dhe se UÇK-ja është përgjegjëse për to, prokuroria nuk ka pasur sukses ta provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm lidhjen midis kryerësve të drejtpërdrejtë dhe komandantëve të akuzuar të UÇK-së, e as ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, qëllim i së cilës ishte përforcimi i kontrollit të UÇK-së në territore të ndryshme të Kosovës nëpërmjet të një fushate të krimeve kundër popullatës civile. Ky dështim kishte arsye të ndryshme si : mungesa e dokumenteve që do të tregonin strukturën e UÇK-së, besueshmëria e diskutueshme e provave të marra nga Serbia, gabimet e hetuesve në terren si dhe problemet me dëshmitarët gjatë procesit.

Në aktgjykimet në lëndën Haradinaj dhe të tjerët pohohet se gjykimi është zhvilluar në “atmosferë ku dëshmitarët nuk ndiheshin të sigurt“, me shumë prej këtyre dëshmitarëve duke theksuar frikën si arsyen kryesore për mungesën e dëshirës për të dhënë dëshmi. Çështje të ngjashme me dëshmitarët kanë ndikuar edhe në rastin Limaj dhe të tjerët. Për shkak të frikësimit të dëshmitarëve, zbulimit të identitetit të tyre ose për shkak të refuzimit të tyre për të dëshmuar, janë ngritur disa aktakuza për mosrespektim të gjykatës.